9-mujori, fitimi i sektorit bankar u rrit me 5 për qind
Fitimi neto i sektorit bankar arriti në 27.4 miliardë lekë, i ndikuar kryesisht nga rezultati financiar i BKT-së.

Fitimi i sektorit bankar për nëntëmujorin ka shënuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë, i ndikuar kryesisht nga rezultati financiar i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). Sipas të dhënave të paaudituara të bankave tregtare, të raportuara sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) dhe të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi neto i sektorit për nëntëmujorin 2025 arriti në 27.4 miliardë lekë, në rritje me 5.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, rritja e fitimeve të sektorit ka ardhur kryesisht nga rezultati i një banke të vetme. Banka Kombëtare Tregtare raportoi një fitim neto prej 9.25 miliardë lekësh për nëntëmujorin, me një rritje prej 48.6 për qind krahasuar me një vit më parë.
Fitimi i BKT-së është zgjeruar me rreth 5 miliardë lekë vetëm gjatë tremujorit të tretë, një rritje e pazakontë që është e vështirë të shpjegohet në mungesë të pasqyrave të plota financiare, të cilat nuk janë publikuar. Ndërkohë, sipas raportimit me standardet lokale të mbikëqyrjes, fitimi i BKT-së rezulton ndjeshëm më i ulët, në vlerën e 7.35 miliardë lekëve.
Gjashtë banka regjistruan rënie të fitimeve
Për bankat e tjera, ndryshimet e rezultateve financiare kanë qenë përgjithësisht më të vogla. Nga 12 bankat që raportojnë të dhëna pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave, dhjetë e kanë mbyllur periudhën nëntëmujore me fitim. Dega e Bankës Ziraat në Shqipëri ende nuk është anëtarësuar në këtë shoqatë.
Nga 11 bankat që ishin aktive edhe një vit më parë, gjashtë kanë regjistruar rënie të rezultatit financiar, ndërsa pesë e kanë përmirësuar atë. Jet Bank është licencuar vetëm gjatë këtij viti.
Pas BKT-së, Raiffeisen Bank renditet e dyta për nga vlera e fitimit, me një rezultat neto prej 5.8 miliardë lekësh, në rënie me 8.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
OTP Albania raportoi një fitim prej 3 miliardë lekësh, ose 17.3 për qind më pak se një vit më parë. Tirana Bank regjistroi një fitim neto prej 2.42 miliardë lekësh, në rritje me 16.3 për qind, ndërsa Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) raportoi 2.29 miliardë lekë fitim, me një rënie prej 16.6 për qind.
Credins Bank shënoi një rritje të ndjeshme të fitimit, duke arritur në 2.03 miliardë lekë, ose 61.6 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Intesa Sanpaolo raportoi një fitim prej 2.02 miliardë lekësh, në rënie me 11.2 për qind, ndërsa Union Bank regjistroi 1.2 miliardë lekë fitim, me një rritje prej 15 për qind.
Banka e Parë e Investimeve (Fibank) raportoi një fitim prej 775 milionë lekësh, në rënie me 30.7 për qind krahasuar me një vit më parë. ProCredit Bank e mbylli periudhën me një fitim prej 120 milionë lekësh, kundrejt një humbjeje prej 54 milionë lekësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) raportoi një humbje prej 241 milionë lekësh, e reduktuar me 38.2 për qind krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, të dhënat e UBA-së për të dyja periudhat janë raportuar sipas standardeve lokale të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe jo sipas IFRS-ve. Jet Bank, e licencuar gjatë këtij viti, raportoi një humbje prej 1.02 miliardë lekësh.
Kthimi nga kapitali aksionar zbret në 16 për qind
Pavarësisht rritjes së fitimit neto, treguesi i kthimit nga kapitali aksionar (ROE) për sektorin bankar ka shënuar një rënie të lehtë, duke zbritur në 16 për qind, nga 16.41 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Renditja sipas këtij treguesi kryesohet nga Banka Kombëtare Tregtare, me një kthim nga kapitali prej 24.33 për qind, nga 16.18 për qind një vit më parë. Raiffeisen Bank renditet e dyta, me 21.5 për qind, nga 25.65 për qind, ndërsa ABI Bank regjistroi një kthim prej 19.26 për qind, nga 29.49 për qind një vit më parë.
Tirana Bank raportoi një kthim nga kapitali prej 16.77 për qind, nga 16.92 për qind një vit më parë. Union Bank arriti në 15.1 për qind, nga 14.91 për qind, ndërsa OTP Albania regjistroi 14.78 për qind, nga 17.9 për qind në periudhën krahasuese.
Fibank raportoi një kthim nga kapitali prej 13.47 për qind, nga 22.12 për qind një vit më parë. Intesa Sanpaolo regjistroi 11.01 për qind, nga 13.14 për qind, ndërsa Credins Bank e përmirësoi këtë tregues në 9 për qind, nga 6.74 për qind.
ProCredit Bank raportoi një kthim pozitiv nga kapitali prej 2.96 për qind, kundrejt nivelit negativ prej 1.56 për qind një vit më parë. Ndërkohë, UBA vijoi të regjistrojë një kthim negativ prej 21.66 për qind, nga niveli negativ prej 20.29 për qind në periudhën krahasuese.
Të dhënat tregojnë se rritja e fitimit të përgjithshëm të sektorit bankar është mbështetur kryesisht nga rezultati i BKT-së, ndërsa shumica e bankave të tjera kanë regjistruar rënie të fitimeve ose ndryshime më të moderuara. Në të njëjtën kohë, kthimi mesatar nga kapitali aksionar ka shënuar një ulje të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)